Murati: Nis aplikimi për mbështetje financiare për studentët në eKosova

Ministri i Financave, i Punës dhe i Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se tashmë është hapur aplikimi për mbështetjen e studentëve përmes platformës eKosova, në seksionin “Familja”.

Shtesa e njëhershme prej 100 eurosh:

Të drejtë aplikimi kanë studentët aktivë të të gjitha niveleve të studimeve – Bachelor, Master dhe Doktoratë – që ndjekin studimet në universitetet e akredituara publike dhe private në Kosovë.

Murati theksoi se është e rëndësishme që aplikimi të plotësohet pa gabime, pasi çdo pasaktësi sjell refuzimin e aplikimit.

Afati për aplikim është deri në fund të muajit tetor, ndërsa pagesat do të ekzekutohen me grupe, sipas renditjes së aplikimeve.

Bursa e Mobilitetit të Studentëve:

Krahas shtesës njëherëshe, është hapur edhe aplikimi për Bursën e Mobilitetit, e cila u dedikohet studentëve të nivelit Bachelor, shtetas të Kosovës, që studiojnë në universitetet e akredituara në vend.

Kusht i domosdoshëm për përfitimin e kësaj burse është që të ardhurat vjetore bruto të familjes të mos kalojnë 12,000 euro.

Ministri Murati ka apeluar që studentët të jenë të kujdesshëm gjatë aplikimit dhe të plotësojnë me saktësi të gjitha fushat e kërkuara, për të shmangur refuzimin e aplikimit. /Kosova.info/


Go to TOP