Murati: Integrimi i qëndrueshëm i të rinjve në tregun e punës është prioritet kryesorë në agjendën tonë të zhvillimit

Ministri Murati ka përfaqësuar Qeverinë e Republikës së Kosovës në Mbledhjen Ministrore për Punësim dhe Çështje Shoqërore të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga Presidenca Sllovene e Këshillit të Bashkimit Evropian. Në këtë takim u diskutua lidhur me integrimin e të rinjve në tregun e punës, veçanërisht për skemën e punësimit të garantuar për të rinj, temë me rëndësi të lartë për Qeverinë e Kosovës.

“Si Qeveria e shtetit më të ri në Evropë, mirëpo edhe shtetit me popullsinë më të re, integrimi i qëndrueshëm i të rinjve në tregun e punës është prioritet kryesorë në agjendën tonë të zhvillimit”, u shpreh Ministri Murati në fjalimin e tij gjatë mbledhjes ministrore. Ai poashtu ndau planin e tij me të pranishmit duke i’u referuar tri skemave të Pakos për Ringjallje Ekonomike të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në punësimin e të rinjve.

Në këtë mbledhje, Ministrat përgjegjës për punësim dhe çështje shoqërore u takuan për të diskutuar hapa konkret për ndërtimin e tregjeve të qëndrueshme të punës për të rinjtë. Gjatë këtij takimi u theksua se ky qëllim mund të arrihet vetëm me krijimin e kushteve të përshtatshme të punës dhe zhvillimin e aftësive të reja, me theks të veçantë për të rinjtë të cilët duhet të stimulohen të zhvillojnë potencialin e tyre.

Ministria e Financave, Punës dhe Transefereve së fundmi ka shpalosur Pakon e Ringjalljes Ekonomike ku së paku tri masa kontribuojnë në mënyrë direkte në punësimin e të rinjve. Skema e punësimit të garantuar për të rinj, skema e granteve për zanatet dhe trajnimi dhe punësimi në TI, janë masat përmes të cilave do të investohet në këtë drejtim. /Kosova.info/

Go to TOP