Juventusi fiton Kupën e Italisë për të 15-ën herë

Juventusi ka fituar të mërkurën për të 15 herën Kupën e Italisë, teksa ka mundur 1-0 në finale Atalantën, e cila e zgjat pritjen tashmë 62-vjeçare, për ta fituar për herë të dytë këtë trofe.

Në fakt, sfida e luajtur në Stadiumin “Olimpiko” të Romës ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për skuadrën torineze, që ka shfrytëzuar një përgjumje të mbrojtjes bergamase dhe Vllahoviç do të finalizojë me sukses, duke mposhtur portierin kundërshtar dhe duke e dërguar topin në rrjetë pas vetëm 4 minutash lojë.

Përtej përpjekjeve të të dyja skuadrave, loja në vijim nuk do të sjellë gola të tjerë dhe kështu pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë minimale të Juventusit. Ajo e dyta do të shohë një lojë të hapur dhe Juventusi do ta gjejë golin 18 minuta para fundit të kohës së rregullt, sërish me Vllahoviçin, por ai do të anulohet për pozicion milimetrik jashtëloje.

Ndonëse të dyja skuadrat kanë goditur përkatësisht shtyllën e majtë pingule dhe atë horizontale, as Juventusi e as Atalanta nuk e gjejnë golin deri në fund. Juventusi mund kështu Atalantën 1-0 dhe bën të vetën trofeun e Kupës së Italisë. 

Go to TOP