Murati: Gjykata Supreme bllokon arkat fiskale digjitale – Bizneset do të paguajnë mbi 5 milionë euro në vit
Monopoli i arkave fiskale me kosto të larta për bizneset, i vendosur gjatë kohës kur Bedri Hamza ishte Ministër i Financave, ishte planifikuar të merrte fund përmes një Udhëzimi të Ri Administrativ që parashihte kalimin drejt arkave fiskale digjitale – një praktikë tashmë e zbatuar në shumicën e vendeve të rajonit.
Megjithatë, Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur ta shfuqizojë këtë Udhëzim Administrativ. Vendimi është marrë nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Delushe Halimi, Lumni Sallauka dhe Franciska Zhitija-Ymeri.
Ky vendim, që është cilësuar si absurd nga përfaqësues të Ministrisë së Financave, nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit dhe mbajtje në fuqi të sistemit aktual të arkave fiskale, i cili sipas vlerësimeve, i kushton sektorit privat mbi 5 milionë euro në vit në forma të ndryshme të mirëmbajtjes dhe shërbimeve të arkave të vjetra.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, në reagimet e tij të mëhershme ka theksuar se digjitalizimi i arkave fiskale është një hap thelbësor drejt modernizimit të administratës tatimore dhe lehtësimit të barrës për bizneset, duke eliminuar monopolin dhe koston e panevojshme që iu imponohet atyre.
Pavarësisht qëllimit të qartë për përparim teknologjik dhe thjeshtim të procedurave, ky vendim i Gjykatës Supreme e kthen vendin prapa dhe i lë bizneset të ekspozuara ndaj një sistemi të vjetruar e të kushtueshëm, duke zbehur përpjekjet për reforma dhe transparencë fiskale në vend. /Kosova.info/
