Murati akuzon opozitën për bllokimin e buxhetit të RTK-së: Kapaciteti i tyre destruktiv tejkalon çdo imagjinatë
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar lidhur me mosalokimin e buxhetit për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) duke e cilësuar opozitën si përgjegjëse për këtë situatë.
Murati theksoi se, sipas ligjit të buxhetit, fondet e RTK-së ndahen me vendim të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, ndërsa Thesari vetëm ekzekuton pagesat pas këtij vendimi. Ai shtoi se aktualisht komisioni nuk është funksional për shkak se partitë opozitare kanë bllokuar konstituivin e Kuvendit duke mos marrë pjesë në votime prej disa muajsh.
“Sikur opozita të mos e kishte bllokuar konstituivin e Kuvendit, çështja e buxhetit të RTK-së as që do të ishte temë, sepse ai alokohet automatikisht pas vendimit të Komisionit për Buxhet,” tha Murati.
Ai akuzoi PDK-në, LDK-në dhe AAK-në se po tentojnë t’ia atribuojnë fajin Qeverisë për mungesën e buxhetit, ndërkohë që në vitin 2021 vetë kishin miratuar në Qeveri alokimin e buxhetit për RTK-në duke shkelur ligjin.
Murati kujtoi se për të shmangur situata të tilla, Komisioni për Buxhet, nën drejtimin e Armend Mujës, kishte miratuar në dhjetor 2024 pagesën e këstit për gjashtë muaj (janar–qershor 2025) duke llogaritur në vonesa të mundshme pas zgjedhjeve. Por, sipas tij, askush nuk e kishte menduar që opozita do ta mbante të bllokuar Kuvendin për kaq gjatë, vetëm për të penguar zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit.
“Kapaciteti destruktiv i tyre tejkalon çdo imagjinatë,” u shpreh Murati duke shtuar se opozita nuk ka reaguar asnjëherë për kërkesën e Vetëvendosjes që posti i nënkryetarit të Kuvendit t’i takojë një përfaqësuesi që nuk vjen nga Lista Serbe. /Kosova.info/
