Mulaj: Subvencionimi i 90 mijë familjeve nuk është sukses, por alarm i varfërisë në Kosovë

Kandidati i LDK-së për deputet, Besim Mulaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministrit Hekuran Murati lidhur me subvencionimin e mbi 90 mijë familjeve për energjinë elektrike duke e cilësuar këtë shifër jo si arritje qeveritare, por si tregues të qartë të varfërisë dhe dështimit ekonomik.

Mulaj thekson se në Kosovë ka rreth 300–350 mijë familje dhe fakti që gati çdo e treta nuk arrin ta paguajë rrymën pa ndihmë shtetërore flet për një realitet të rëndë social. “Kjo nuk është statistikë suksesi, por statistikë varfërie e paketuar bukur për konferenca shtypi,” shprehet ai.

Sipas Mulajt, qeveria po e paraqet ndihmën sociale si model zhvillimi, ndërkohë që ajo duhet të shihet si alarm për mosfunksionimin e ekonomisë. “Pagat kanë mbetur në vend, çmimet janë në garë olimpike, ndërsa zgjidhja e qeverisë është një formular online për ndihmë,” kritikon ai.

Ai shton se ndihma për familjet në nevojë është e domosdoshme dhe e drejtë, por problemi qëndron kur asistenca shndërrohet në politikë qeverisëse. “Shteti nuk ndërtohet me asistencë, por me punë, prodhim dhe dinjitet. Nëse vazhdohet kështu, Kosova rrezikon të kthehet në shtet asistence, ku qytetarët nuk pyesin më ‘ku po punon?’, por ‘a e more subvencionin?’ – ironike dhe tragjike njëkohësisht,” përfundon Mulaj.

#BesimMulaj79 #LumirAbdixhiku1 #LDK123 /Kosova.info/


Go to TOP