Muharremi: Votat e Nismës janë të shijshme për momentin, por me pasoja të mëdha potenciale
Analisti politik Shenoll Muharremi ka komentuar afrimin e mundshëm të partive të mëdha me Nismën në prag të balotazheve komunale duke e quajtur këtë parti “mik të mrekullueshëm”, por që bart me vete rreziqe të mëdha politike.
Sipas tij, të gjitha partitë aktualisht janë nën presion të madh për të siguruar vota shtesë dhe për të hyrë të forta në garën e balotazhit, ku në disa komuna gara është aq e hapur sa mund të përcaktojë jo vetëm rezultatin lokal, por edhe drejtimin e zgjedhjeve nacionale dhe fatin e lidershipit të partive.
“Normal që është mik i mirë kur na duhen mijëra vota shtesë. Por duhet me kuptu që votat e Nismës vijnë me një rrezik, nuk janë falas”, ka thënë Muharremi.
Ai kujtoi rastin e fundit kur Nisma kishte hyrë në koalicion me AAK-në, por më pas kishte ndryshuar qëndrim pas zgjedhjeve dhe kishte nisur negociata me një parti kundërshtare të koalicionit duke e thyer marrëveshjen.
“Kjo, nëse ka ndodhë para disa muajve, mundet me ndodhë përsëri. Mundet me i ndodhë edhe LDK-së. Prandaj, votat potenciale të Nismës nuk vijnë pa një rrezik”, theksoi ai.
Muharremi paralajmëroi se një bashkëpunim i tillë mund të krijojë mesazhe të përziera e konfuzuese për elektoratin e LDK-së dhe, në rast të përsëritjes së një skenari si ai me AAK-në, pasojat politike mund të jenë të mëdha.
“Votat e Nismës, aq sa janë të shijshme për momentin, janë edhe me pasoja të mëdha potenciale,” përfundoi Muharremi. /Kosova.info/
