Muharremi sfidon Rizvanollin: Qytetarët po mbrohen vetë nga rritja e çmimeve të energjisë

Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke e akuzuar për dështim në menaxhimin e sektorit të energjisë dhe për etiketimin e kritikëve si “pseudo-ekspertë”.

Në një postim në Facebook, Muharremi i ka drejtuar ministres disa pyetje të drejtpërdrejta duke kërkuar llogari për rritjen e vazhdueshme të çmimeve të energjisë, rritjen e humbjeve dhe mungesën e investimeve në kapacitete të reja. Ai po ashtu e ka kritikuar politikën që i ka detyruar qytetarët të blejnë pajisje eficiente për të kursyer energjinë, ndërsa tani ata po ndëshkohen me tarifa më të larta.

“Ne nuk jemi ekspertë të energjisë, por nga halli po i lexojmë dokumentet e juaja, sepse qeveria nuk po na mbron. Po bëhemi ‘pseudo-ekspertë’ sepse na detyroni të mbrohemi vetë,” ka shkruar Muharremi.

Ai paralajmëroi se qytetarët nuk do të heshtin përballë rritjeve të reja të çmimeve dhe kritikoi ashpër qasjen e Qeverisë ndaj kritikave duke e quajtur të padrejtë sulmin ndaj qytetarëve që kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie. /Kosova.info/


Go to TOP