Muharremi pyet për arrestimin në protesta: Pse u ndal qytetari që kundërshtoi shtrenjtimin e rrymës?

Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar lidhur me arrestimin e një qytetari gjatë protestave kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike duke ngritur pyetje të drejtpërdrejta për arsyet e ndërhyrjes së policisë dhe për përgjegjësinë institucionale ndaj situatës.

Muharremi pyet nëse qytetari i arrestuar është liruar dhe kërkon sqarim se pse është ndaluar një qytetar i Kosovës që, sipas tij, ka dalë për të protestuar për hallet e veta sociale dhe për të kërkuar ndaljen e rritjes së çmimit të rrymës. “Teknikisht, çka ka bë ai? A e ka sulmu dikënd apo çka, se nuk arrita me kuptu,” shprehet ai.

Ai kritikon edhe partitë opozitare duke thënë se po e shikojnë protestën “nga larg”, pa u përfshirë realisht. Muharremi i cilëson ato si të rehatshme në pozitat e tyre, të mira për takime protokollare dhe udhëtime, por jo për mbështetje aktive të qytetarëve në protesta. Ai rikujton se një qasje e tillë, sipas tij, është parë edhe në pranverën e vitit 2025 dhe se rezultati i saj u reflektua më pas në zgjedhje.

Në reagimin e tij, Muharremi sqaron edhe çështjen e përgjegjësisë për çmimin e energjisë elektrike duke theksuar se KEDS dhe KESCO nuk janë ata që e shtrenjtojnë rrymën. Sipas tij, këto kompani janë operatorë privatë që synojnë fitimin maksimal brenda kornizës që u lejohet.

Ai thekson se përgjegjësia direkte për çmimin, rregullimin dhe menaxhimin e energjisë në Kosovë bie mbi Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), si rregullator, dhe mbi Qeverinë e Kosovës, si institucion menaxhues i sektorit energjetik. /Kosova.info/


Go to TOP