Muharremi: Kosovës i duhet stabiliteti i Bedri Hamzës, jo ekstremitete e kriza
Analisti Shenoll Muharremi ka komentuar paraqitjen e Bedri Hamzës në emisionin Debat Plus duke e vlerësuar atë si modelin e qasjes që Kosovës i nevojitet në këtë moment të ndjeshëm politik dhe institucional.
Muharremi tha se vendi ka nevojë urgjente për stabilitet, maturi dhe rikthim në normalitet duke theksuar se situata aktuale kërkon distancim nga ekstremitetet dhe krizave politike.
“A e keni shiqu sonte Bedri Hamzën në Debat Plus? Qajo është saktësisht ajo që na duhet aktualisht. Kosovës i nevojitet sikur oksigjeni stabiliteti dhe maturia”, shkroi ai.
Sipas tij, prioritetet e vendit duhet të jenë rikthimi i funksionalitetit të shtetit, përmirësimi i marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë, çbllokimi i stagnimit drejt BE-së dhe vazhdimi i Dialogut Strategjik me SHBA-të.
Muharremi shtoi se personalisht do të preferonte një kryeministër me qasje më të thellë e më të shpejtë reformuese, por momenti aktual kërkon diçka tjetër:
“Hamaza nuk është tipi im i kryeministrit, sepse kërkoj më shumë reforma, më të thella, më radikale dhe më të shpejta. Por tani nuk është koha për radikalizëm. Është koha për stabilitet dhe siguri.”
Ai theksoi se Kosovën duhet ta udhëheqë një qasje që ndërton kohezion social, bashkim, normalitet dhe funksionalitet institucional duke vlerësuar se paraqitja e Hamzës në Debat Plus reflektoi pikërisht këto elemente. /Kosova.info/
