Muharremi: Humbja në Prishtinë dhe Mitrovicë mund ta dërgojë Vetëvendosjen në opozitë
Analisti politik Shenoll Muharremi ka vlerësuar se balotazhi në Prishtinë dhe Mitrovicë do të jetë vendimtar, jo vetëm për pushtetin lokal, por edhe për fatin politik të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të kryeministrit Albin Kurti në zgjedhjet e ardhshme nacionale, që sipas tij pritet të mbahen në dhjetor.
Sipas Muharremit, rezultatet e raundit të parë më 12 tetor kanë prodhuar “një barazim të pamëshirshëm dhe të papritur” në këto dy komuna, me gjasa reale 50-50 për secilin kandidat. Ai thekson se situata ka nisur të ndryshojë ditëve të fundit, ku Vetëvendosje po humb ndikim, ndërsa PDK po forcon pozitat në Mitrovicë dhe LDK në Prishtinë.
“Kjo marrëveshje e sotme mes PDK-LDK-ARK në Mitrovicë mund të jetë jashtëzakonisht problematike për Vetëvendosjen. Nëse aplikohet si duhet, gjasat janë shumë më të ulëta me pas ndryshime eventuale në Mitrovicë. E këtë përkrahje LDK nuk e jep falas, sidomos pret përkrahje në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Pejë,” shkroi Muharremi.
Ai shton se presioni ndaj Kurtit është në rritje, sidomos pas “kërcënimeve” të fundit ndaj votuesve për buxhetin dhe faktit që, me mbi 400 mijë vota, Vetëvendosja nuk ka arritur të formojë shumicën parlamentare.
“Nëse LVV nuk i fiton as Prishtinën, as Mitrovicën, atëherë do të ketë një pozicion të palakmueshëm në zgjedhjet nacionale që janë te dera. Nëse Kurti nuk arrin rezultate të mira në zgjedhjet e ardhshme, apo më keq se më 9 shkurt, ai do e ketë të pamundur të formojë qeverinë,” përfundon Muharremi. /Kosova.info/
