Muharremi: Bujqësia në Kosovë po mbijeton, politikat aktuale primitive dhe pa vizion
Analisti Shenoll Muharremi ka kritikuar ashpër politikat aktuale të bujqësisë në Kosovë, duke i quajtur ato primitive dhe të pamjaftueshme për të mbështetur prodhimin vendor. Ai thekson se subvencionet e ofruara janë të nivelit më bazik dhe nuk krijojnë një ekosistem funksional që stimulon zhvillimin e sektorit.
“Sikur televizorët bardh e zi me llampa, pa transistorë dhe integrale – këto janë politikat bujqësore sot,” shprehet Muharremi, duke nënvizuar se rritja e padrejtë e taksave e ka rënduar edhe më shumë gjendjen.
Sipas tij, mungesa e zhvillimit rajonal ka çuar në largimin e rreth 300,000 personave nga fshatrat, duke krijuar një hendek të madh në fuqinë punëtore dhe duke e bërë edhe më të vështirë mbijetesën e fermerëve.
Muharremi sjell një shembull konkret nga një plantacion ku është investuar për shtatë vite, por kthimi në investim ende nuk ka arritur as 1%. “Në këtë ekosistem, është e pamundur të përballohet ky sektor pa financim sistematik. Nuk është problem individual, por i gjithë ekonomisë,” thekson ai.
Ai lidh këtë situatë me importet dhe deficitin tregtar duke vënë në dukje se Kosova humb rreth 20 miliardë euro në një mandat qeverisës për shkak të mjedisit jofavorshëm për prodhuesit vendorë.
“Politikat aktuale janë në fazën e foshnjës. Marketet kanë më shumë leverdi të importojnë sesa të mbështesin produktet vendore,” deklaron Muharremi duke paralajmëruar se mungesa e sundimit të ligjit dhe vonesat në drejtësi rrezikojnë investimet afatgjata në bujqësi. /Kosova.info/
