Muharremi: BE po e anashkalon Qeverinë në largim – gjuha diplomatike tregon mospërkrahje për vazhdimësinë e Kurtit

Analisti Shenoll Muharremi ka ngritur shqetësime serioze për raportin e Bashkimit Evropian me Qeverinë e Kosovës në detyrë duke theksuar ndryshimet në qasjen diplomatike dhe gjuhën zyrtare që mund të përçojnë sinjale të ftohjes së bashkëpunimit me kryeministrin Albin Kurti.

Sipas Muharremit, përdorimi i termit “kryeministër në largim” nga ana e BE-së në komunikimet e fundit është shumë më i rëndë sesa “në detyrë”, pasi kjo nënkupton qartë mospërkrahje për vazhdimin e mandatit të tij. Ai gjithashtu thekson se në komunikatën e fundit të BE-së, e cila u publikua së fundmi, nuk përmendet fare qeveria e Kosovës, kryeministri apo ministrat, ndryshe nga vendet tjera të përfshira.

“Kur nuk të përmendin fare, është si me të thënë ‘nuk të njohim më’ apo edhe më keq, ‘nuk kemi dëshirë të të kemi partner’,“ ka shkruar Muharremi duke shtuar se shpreson që po gabon në interpretimin e këtyre sinjaleve.

Këto komente vijnë në një kohë të ndjeshme për Kosovën në arenën ndërkombëtare, kur vendi përpiqet të ruajë mbështetjen e aleatëve strategjikë dhe të avancojë në proceset euroatlantike. /Kosova.info/


Go to TOP