Muharremi: BE nuk po e njeh Kurtin si Kryeministër, dëm i madh për Kosovën
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj situatës aktuale politike duke kritikuar Albin Kurtin për mënyrën se si po e menaxhon tranzicionin e pushtetit. Ai ka thënë se kreu i VV-së kishte thënë dikur se “ka qeveri, ska Kuvend” dhe se “s’ka urgjencë” duke e shtyrë procesin aq sa dëshironte, pa u shqetësuar për legjitimitetin dhe demokracinë.
Sipas tij, momenti që Kurti u bë deputet, qeverinë kujdestare do të duhej ta drejtonte Besnik Bislimi, pasi nuk mund të mbahen njëkohësisht të dy funksionet – ai i deputetit dhe i kryeministrit.
Muharremi ka shtuar se tashmë edhe Bashkimi Evropian i ka dërguar letër zyrtare Kurtit me mesazhin se nuk do ta takojë në zyrën e kryeministrit, çka sipas tij nënkupton mosnjohje të mandatit ose së paku dyshime mbi legjitimitetin.
“Ky është dëm i madh për Kosovën, e cila veçse ndodhet nën masa nga BE, ndërsa edhe aplikimi për anëtarësim nuk po trajtohet, me gjasë si pasojë e veprimeve të qeverisë në vitet e fundit”, ka thënë ai.
Duke e konsideruar këtë situatë si pasojë të lakmisë për pushtet, Muharremi theksoi se pushteti nuk mbahet me çdo kusht dhe se respektimi i ligjeve dhe procedurave demokratike është kusht themelor.
“Fakti që fiton në zgjedhje nuk do të thotë asgjë nëse nuk arrin të krijosh shumicën. Në demokraci fiton shumica. Edhe nëse Kurti ka mësuar nga kjo përvojë, me gjasë është tepër vonë”, përfundoi ai. /Kosova.info/
