Bajrami: BE izolon Kurtin, Qeveria dhe Kuvendi të bllokuar për shkak të tij
Ish-ministrja e Financave dhe anëtarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike duke akuzuar kryeministrin në largim, Albin Kurti, se me veprimet e tij po e çon Kosovën drejt kolapsit shtetëror.
Ajo thekson se sot është publikuar një letër e nënshkruar nga ambasadori i BE-së në Kosovë, ku konfirmohet vendimi për të mos takuar deputetin Albin Kurti dhe asnjë deputet tjetër që njëkohësisht mbajnë edhe pozita ekzekutive në Qeverinë në largim. Sipas saj, ky është një izolim i qartë nga Bashkimi Evropian ndaj shkelësve të ligjit dhe Kushtetutës.
Bajrami rikujtoi se më 8 maj LDK ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale 17 kallëzime penale ndaj deputetëve që ushtrojnë edhe funksione ministrore duke shtuar se ende nuk ka pasur veprim nga organet e drejtësisë, por ka besim se rendi kushtetues do të mbrohet.
“Është bërë kristal e qartë që z. Kurti ka dështuar ta jetësojë besimin e qytetarëve të marrë më 9 shkurt. Kanë dështuar të ndërtojnë marrëveshje politike dhe kanë zgjedhur ta mbajnë peng Qeverinë dhe ta bllokojnë Kuvendin,” deklaroi Bajrami.
Ajo shtoi se dështimet e njëpasnjëshme të Kurtit për të imponuar kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe për të formuar Qeverinë janë shndërruar në barrë për shtetin dhe qytetarët.
“Bllokuesi, dështuesi dhe fajtori për gjithë këtë situatë është Albin Kurti dhe Vetëvendosja,” përfundoi Bajrami. /Kosova.info/
