Nagavci: Muaji i fundit nuk ishte i lehtë për mësimdhënësit, puna e tyre nuk guxon vihet në pikëpyetje nga askush

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në Ditën Botërore të Mësuesit, ka thënë se muaji i fundit nuk ka qenë i lehtë për mësimdhënësit në Kosovë.

Ajo ka thënë se ata ishin protagonistët, të mbështeturit e të kritikuarit.

“E kam ndjerë bashkë me ju shqetësimin e situatës së fundit me grevën. Jam shumë e lumtur të shoh vullnetin e shumicës prej jush për fillim të vitit mësimor, ky vullnet ishte aty edhe në fillim të shtatorit dhe përgjatë gjithë grevës. Pasioni dhe përkushtimi juaj për mësimdhënie shkon përtej çdo ndikimi e presioni. Për këtë ju jam falënderuese!”, ka shkruar Nagavci në një postim në Facebook.

Nagavci ka shtuar se si MASHT janë maksimalisht të angazhuar në rregullimin e sektorit të arsimit, që sipas ministres e kanë gjetur me shumë mangësi në të gjitha hallkat e funksionimit të saj, që ndër vite, është prekur pothuajse më së rëndi.

Ministrja ka përmendur edhe çështjen e pagave për mësimdhënësit, duke thënë se mësimdhënia meriton kompensim të dinjitetshëm dhe kjo do të jetë e garantuar.

“Rritja e merituar e pagës e propozuar në ligjin për paga është dëshmi e përkushtimit tonë ndaj jush. Edhe rritja e përshkallëzuar e pagës sipas performancës është përgjigjja jonë për nxitje për punë të mirë. Mësimdhënia meriton kompensim të dinjitetshëm dhe kjo do të jetë e garantuar”, ka shkruar ministrja Nagavci.

Nagavci ka shtuar se puna e madhe e mësimdhënësve në arsimim të gjeneratave nuk mund dhe nuk guxon vihet në pikëpyetje nga askush.

“Mësimdhënia nuk është e lehtë, por puna me nxënës është përgjegjësi, dhe këtë përgjegjësi ua kemi besuar juve”, tha Nagavci. 

Go to TOP