MPJD i kërkon bashkësisë ndërkombëtare ta mbajë përgjegjëse dhe ta sanksionojë Serbinë për sulmin në Ibër-Lepenec

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës ka publikuar një dokument me gjetje preliminare lidhur me sulmin ndaj strukturës së kanalit Ibër-Lepenc, duke akuzuar Serbinë për organizimin e sulmit dhe për trajnimin e grupeve terroriste që veprojnë afër kufirit me Kosovën.

Sipas MPJD-së, ky sulm është pjesë e një strategjie agresive të Serbisë për destabilizimin e Kosovës, duke përfshirë lidhje me krimin e organizuar dhe metoda të ngjashme me taktikat ruse në Ukrainë. Dokumenti thekson se Serbia, me mbështetjen e aleatit të saj, Rusisë, synon të testojë Perëndimin dhe NATO-n përmes veprimeve kundër vendeve joanëtare të NATO-s në Ballkan.

Në sulmin e fundit në Zubin Potok, ku u përdorën rreth 20 kilogramë eksploziv, u dëmtua rëndë infrastruktura e kanalit Ibër-Lepenc, një sistem jetik për furnizimin me ujë të pijshëm dhe energji në Kosovë. MPJD raportoi se dhjetëra mijëra qytetarë mbetën pa ujë të pijshëm dhe se furnizimi me energji elektrike dhe ngrohje qendrore u rrezikua deri në 60%.

Ministria identifikon Milan Radojicic si përgjegjës kryesor të sulmit, duke akuzuar se ai gëzon mbështetje të plotë nga ushtria dhe institucionet serbe, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq.

Në fund të raportit, Kosova kërkon që:

Serbia të mbahet drejtpërdrejt përgjegjëse për sulmet dhe të dënohet ndërkombëtarisht.
Të vendosen sanksione ndaj Serbisë për strehimin dhe mbështetjen e grupeve terroriste.


Aleatët perëndimorë të marrin masa për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve në Ballkan.


“Ky sulm është një kërcënim i drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë në Evropë,” thuhet në raport, ndërsa Kosova bën thirrje për unitet dhe vendosmëri të Perëndimit kundër akteve të tilla agresive.

Go to TOP