MPJD e Kosovës dhe ajo e Austrisë zhvilluan konsultime politike

Të hënën në Prishtinë, nën udhëheqjen e Zëvendësministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës Kreshnik Ahmeti dhe Drejtores së Përgjithshme, Elisabeth Kornfeind, u mbajtën konsultimet politike në mes dy ministrive, ku është diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin shumëpalësh dhe zhvillimet rajonale e botërore.

Në njoftim thuhet se në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe u diskutua për marrëveshjet në proces në fushën e drejtësisë, sigurisë, mbrojtjes dhe tregtisë.

 Po ashtu u diskutua edhe për njohjen e vulës apostile, rritjen e numrit të lejeve të transportit dhe mbi marrëveshjen për sigurimet shoqërore.

“Sa i përket bashkëpunimit shumëpalësh, u trajtuan proceset integruese të Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin për media.

Ndërkaq, zëvendësministri Ahmeti, e falënderoi shtetin austriak për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën.

“Zhvillimet e fundit botërore ishin temë tjetër e diskutimit, ku u bisedua për ndikimin e tyre në rajon e sidomos në fushën e sigurisë”, thuhet në njoftim.

Zëvendësministri Ahmeti shtoi se Kosova është e përkushtuar që të kontribuojë në paqen rajonale dhe botërore.

“Në fund të dyja palët theksuan se konsultimet e rregullta politike po shërbejnë në thellimin dhe përparimin e marrëdhënieve dypalëshe”, përfundon njoftimi. /Kosova.info/

Go to TOP