MPB fton qytetarët serbë t’i konvertojnë patentë shoferët në RKS

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës nga radhët e komunitetit serb se bazuar në kërkesat e shumta të qytetarëve për aplikim të konvertimit të patentë shoferëve nga ato jo legale serbe në patentë shoferë të Republikës së Kosovës si dhe kërkesën për zgjatje të afatit konvertim, afati është zgjatur deri me 23 gusht 2024. 

“Të gjithë qytetarët që posedojnë patentë shofer të lëshuar nga strukturat jo legale serbe mund të aplikojnë për patentë shofer zyrtar të Republikës së Kosovës në të gjitha Qendrat për Pajisje me Dokumente në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas MPB-së që nga 9 maji kur ka hyrë në fuqi ky vendim e deri më tani, kanë aplikuar 5787 qytetarë nga radhët e komunitetit serb për konvertimin e patentë shoferëve nga ata të lëshuar nga institucionet ilegale serbe në patentë shoferë zyrtar të Republikës së Kosovës. 

“Ministria e Punëve të Brendshme falënderon qytetarët që kanë përfunduar procesin e konvertimit si dhe ftojmë të gjithë të tjerët që ende se kanë përfunduar që të shfrytëzojnë afatin shtesë të ofruar.  Pas kësaj date, për të gjithë ata që nuk konvertojnë patentë shoferët, do të veprohet sipas legjislacionit përkatës në fuqi”, thuhet tutje në njoftim. /Kosova.info/

Go to TOP