Mishi i pulës me salmonellë në Shqipëri, AUV merr masa për testime
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndërmarrë masa për kontrollin kufitar të ngarkesave të mishit të pulës, duke i dërguar ato për testim mikrobiologjik deri në marrjen e rezultateve. Kjo ka ardhur pas dyshimeve për prani salmonelle në disa produkte që tregtohen në Shqipëri.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka lëshuar urdhëresë për kontrollin kufitar, që të gjitha ngarkesat e mishit të pulës të dërgohen për testim mikrobiologjik, deri në nxjerrjen e rezultateve të analizave. Kështu bëri të ditur zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.
“Deri më tani nuk kemi asnjë fakt apo argument që vërteton ndonjë dyshim të supozuar. Aktualisht i kemi ndërmarrë të gjitha veprimet për të bërë një kontroll të tërësishëm dhe të dëshmohet gjithçka mbi sigurinë e këtij produkti”, tha Lamir Thaçi, zëdhënës i AUV-it.
Ndonëse njëri nga brendet që është përmendur mbi dyshimin për prezencë të salmonellës në Shqipëri, tregtohet edhe në Kosovë, Thaçi tha se për momentin mishi është i sigurt për konsumim deri në njoftimin e AUV-it.
“Nga gjithë gjurmimi që kemi kryer nga ngarkesat që janë kontrolluar dhe mostrat që i kemi testuar deri tani, kanë qenë se i përgjigjen kushteve të sigurisë për konsum. Deri më tani nuk ka asnjë argument që konsumatorët të jenë të shqetësuar”, theksoi Lamir Thaçi.
Ai shtoi se pas këtij rasti nuk ka pasur ri-eksporte të produkteve të dyshuara nga Shqipëria. Lidhur me rastin në Shqipëri, kanë folur ekspertët mbi mënyrën e menaxhimit të situatës, duke ngritur shqetësimin e tregtimit të produkteve pa etiketë.
Ndryshe, në Shqipëri u gjetën rreth 8 ton mish pule i kontaminuar me salmonelë të importuara nga Brazili.
