MINTI paralajmëron kontrolle të ashpra në treg: Ndëshkime për produktet e qumështit pa etiketim të qartë
Ministria e Industrisë, e Ndërmarrësisë, e Tregtisë dhe e Inovacionit (MINTI) ka njoftuar të gjithë operatorët ekonomikë që merren me prodhimin, importin, distribuimin dhe shitjen e produkteve të qumështit, se janë të obliguar të respektojnë rregullat ligjore për etiketim dhe prezantim të qartë të produkteve.
Sipas njoftimit, deklaracioni në paketim duhet të tregojë qartë nëse produkti është me bazë shtazore (100% dairy), me bazë bimore apo me bazë të qumështit pluhur.
Po ashtu, subjektet që bëjnë shitje me pakicë duhet të sigurojnë ndarje të qartë të këtyre produkteve në rafte sipas kategorive përkatëse, në mënyrë që konsumatorët të informohen saktë dhe të shmangen praktikat mashtruese.
MINTI bëri të ditur se përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut do të intensifikojë inspektimet në ditët në vijim, ndërsa operatorët që nuk zbatojnë ligjin do të përballen me masa ndëshkuese.
Ministria u ka bërë thirrje edhe qytetarëve që të raportojnë çdo parregullsi, mungesë klasifikimi apo mosdeklarim të qartë të përbërjes së produkteve duke dërguar ankesa me dëshmi përkatëse përmes telefonit +383 (0) 46 311-000 (Viber), ose adresës elektronike [email protected].. /Kosova.info/
