Ministrja Hajdari dorëzon padi ndaj Gazetës Nacionale, Buzhalës dhe zyrtarit të MINT-it

Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari ka dorëzuar padinë në Gjykatën Themelore, në Prishtinë, kundër Gazetës Nacionale, gazetarit Berat Buzhala dhe zyrtarit të MINT, Enver Hajrullahu në lidhje me audio-incizimet e publikuara së fundmi nga Gazeta Nacionale.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook.

“Tentimet e dështuara për të cënuar integritetin dhe dinjitetin tim, përmes disa audio-incizimeve por edhe duke i dhënë vetes të drejtën për të shpifur, duke shantazhuar dhe shpërndarë informacione të pavërteta, do të marrin epilog në organet e drejtësisë”, ka shkruar Hajdari në Facebook.

Sipas saj, sulmet e vazhdueshme, shpifjet, fyerjet dhe të pavërtetat, nuk duhet të lejohen të kthehen në diçka të zakonshme, sepse dëmi që i bëhet opinionit publik dhe shoqërisë  mund të jetë i jashtëzakonshëm.

Në lidhje me këtë ka reaguar pala e paditur, gazetari Berat Buzhala.

“Pra, ne vend që me dhënë doreheqje për abuzimin me rezerva shteterore, per humbjet e medha financiare, per terrorin ne ministri, Rozeta osht çu me sabah me me padite”, ka shkruar Buzhala në Facebook.

Padia e ministres Hajdari vjen pasi “Gazeta Nacionale” ka publikuar disa audio-incizime ku pretendohet se zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë bisedojnë lidhur me nënshkrimin e një kontrate për rezervat shtetërore, e cila ka nxitur reagime në opinionin publik.

Go to TOP