Ministria e Shëndetësisë: Varianti “Omicron” duhet të merret seriozisht, ka shumë të panjohura

Ka ende shumë pyetje në lidhje me variantin e ri të COVID-19 të quajtur “Omicron”, i cili po konsiderohet si variant me shumë mutacione. Shkencëtarët po punojnë gjatë gjithë kohës për të zbuluar nëse me të vërtetë përhapet më shpejt, shmang imunitetin ose ndryshon ashpërsinë e sëmundjes.

Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë thënë se shumica e njerëzve nuk po sëmuren rëndë nga ky variant, megjithëse ka ende shumë për të mësuar rreth tij.

Ndërkaq, nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës thanë se edhe ky variant, sikurse gjithë të tjerët, duhet të merret seriozisht.

Ata thanë se “Omicron” ka ende shumë të panjohura dhe se çdo shtet është i rrezikuar nga ky variant i virusit COVID-19.

Çdo variant i SARS COV-2 duhet të merret me seriozitet, e gjithashtu edhe varianti “Omicron” për të cilin ende ka shumë të panjohura. Çdo shtet është i rrezikuar nga ky dhe variantet e tjera të virusit SARS COV-2, prandaj duhet ndërmarrë masa parandaluese duke kombinuar qasjen: zbatim i masave ne fuqi dhe vaksinim i popullatës”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Klan Kosova.

Nga kjo ministri thanë se aktualisht në Kosovë është situatë e qetë epidemiologjike, por që duhet të ketë kujdes maksimal.

“Kosova, këtyre ditëve ka një situatë të qetë epidemiologjike sa i përket COVID-19, por kjo situatë mund të jetë e brishtë dhe duhet kujdes maksimal, pa panik, për të qenë të gatshëm për ballafaqim me cilindo skenar të zhvillimit të ngjarjeve”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ata kanë bërë të ditur se MSH-ja është duke bashkëpunuar me të gjitha institucionet për ta mbajtur sistemin shëndetësor sa më të mobilizuar.


Go to TOP