Ministria e Mjedisit i jep 15 ditë Komunës së Prishtinës për pëlqimin ujor

Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor ka shqiptuar aktvendim ndaj Komunës së Prishtinës për mospajisje me pëlqim ujor për funksionimin e deponisë së mbeturinave ndërtimore në fshatin Zllatar. Kjo është konstatuar si shkelje ligjore, ndërsa Komuna e Prishtinës ka 15 ditë kohë për ta përmbushur këtë kriter ligjor.

Kodrina në fshatin Zllatar të kryeqytetit është e vetmja deponi për grumbullimin e mbeturinave ndërtimore, e caktuar nga komuna një muaj më parë. Megjithëkëtë, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit ka shqiptuar aktvendim ndaj Komunës së Prishtinës, përmes të cilit e obligon që brenda 15 ditëve të pajiset me pëlqim ujor. Leja ujore, sipas Ministrisë së Mjedisit, është e domosdoshme për funksionimin e kësaj deponie, një pjesë e së cilës është parcelë e dikasterit të mjedisit. Tutje, në përgjigjen me shkrim të Ministrisë thuhet se leja ujore është e nevojshme sepse trajton ujërat që lirohen nga kjo zonë, si dhe ujërat sipërfaqësore që e përshkojnë deponinë në rast të reshjeve atmosferike.

Sido që të jetë, ky aktvendim është shqiptuar me arsyetimin se Inspektorati ka konstatuar shkelje ligjore nga Komuna e Prishtinës në mënyrën e funksionimit të kësaj deponie. Lidhur me këtë çështje, Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë asnjë përgjigje.

Ndërsa ambientalisti Ilir Morina thotë se çështja e deponive të mbeturinave mbetet problem, ndërsa shton se rekomandimi është ligjor por i vonshëm.

“Lokacioni për deponi është problem më i madh botëror për me gjet një lokacion sepse banorët për rreth asnjëhërë nuk i dëshirojnë sidomos këto për konstrukt demolimi sepse janë shumë të mëdhaja, kështuqë unë e pashë një vendim tendencioz për arsye se nuk ka dialog në mes të komunës dhe qeverisë kjo është e keqja që po ndodhë sepse një ministre e re që ka ardh do të duhej të ulej më kryetarët e komunave dhe t’i zgjidhin këto çështje”, shtoi ai.

Komuna e Prishtinës ka 15 ditë kohë që të pajiset me lejen ujore, në të kundërtën do të gjobitet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.


Go to TOP