Rron Gjinovci ‘e gjen’ zgjidhjen për marrëveshje mes VV-së e PDK-së, ka një emër për presidente
Analisti Rron Gjinovci ka propozuar emrin e Justina Shiroka-Pulës si një figurë kompromisi për postin e Presidentit të Kosovës duke vlerësuar se ajo mund të bashkojë dy partitë kryesore, VV-në dhe PDK-në.
Sipas tij, situata aktuale politike karakterizohet nga “kokëfortësia e VV-së” dhe kërkesa e PDK-së për “fuqi bllanko”, gjë që, siç thekson ai, e bën të pamundur arritjen e një marrëveshjeje reale. Gjinovci kërkon që të dyja palët të lëvizin nga pozicionet e tyre fillestare dhe të hyjnë në negociata të mirëfillta.
Ai thekson se vendi nuk ka nevojë për një president që shërben si trofe politik apo trampolinë për ambicie personale, por për një figurë unifikuese, me integritet, përvojë institucionale dhe peshë intelektuale, që e kupton rolin kushtetues të presidencës.
Në këtë kontekst, Gjinovci vlerëson se Justina Shiroka-Pula i plotëson këto kritere. Ai rikujton se ajo ka përvojë si ish-ministre dhe ish-deputete, si dhe një karrierë të gjatë akademike si profesoreshë e ekonomisë dhe kryetare e Akademisë së Shkencave.
Sipas tij, Shiroka-Pula nuk është figurë përçarëse dhe gëzon reputacion për korrektësi dhe kulturë institucionale, çka mund ta bëjë të pranueshme për të dyja palët. Ai shton se një kandidaturë e tillë do t’u mundësonte VV-së dhe PDK-së një zgjidhje dinjitoze duke kontribuar në stabilizimin e institucionit të presidencës, i cili, sipas tij, ka vuajtur nga ambicie politike në mandatet e fundit. /Kosova.info/
