MFPT reagon ndaj deklaratës së Avokatit të Popullit për shtesat e fëmijëve
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e ka quajtur të pa saktë dhe dëmtuese të reputacionit, deklaratën e publikuar nga Avokati i Popullit lidhur me kërkesën për verifikimin e rezidencës për përfituesit e shtesave për fëmijë.
“Qëllimi i verifikimit të rezidencës për përfituesit e shtesave për fëmijë është që të sigurohemi se nga to përfitojnë familjet që jetojnë në Kosovë, duke mbrojtur kështu paranë publike dhe duke garantuar që mbështetja shkon tek nënshtetasit rezidentë që jetojnë në Kosovë. Për këtë arsye, MFPT ka pezulluar përkohësisht pagesat për një numër të kufizuar të përfituesve, duke kërkuar dokumentacion shtesë me qëllimin e vetëm verifikimin e vendbanimit të tyre”, thuhet në komunikatën për media të kësaj ministrie.
Më tej thuhet se përzgjedhja e këtyre familjeve është bërë në mënyrë të paanshme dhe nuk është ndikuar në asnjë formë nga përkatësia etnike e përfituesve.
“Në deklaratën e Avokatit të Popullit të publikuar sot, i atribuohet kuptim negativ edhe kërkesës për regjistrim në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, kur në fakt kjo u mundëson një alternativë shtesë qytetarëve që nuk kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë, që përmes ASK-së të konfirmojnë rezidencën dhe të rifitojnë të drejtën për përfitim nga shtesat për fëmijë. Deklaratat e pavërteta për diskriminim mbi baza etnike të bëra sot në komunikatën e Avokatit të Popullit, pa u mbështetur në të dhëna empirike e pa as të vetmin argument, përveç se shkaktojnë paqartësi tek qytetarët, ato dëmtojnë rëndë edhe reputacionin e vendit tonë si vend që respekton të drejtat e barabarta për të gjithë”, vazhdon reagimi. /Kosova.info/
