Memorandum bashkëpunimi për zbardhjen dhe mbylljen e plagëve të luftës
Universiteti i Prishtinës dhe Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në një përpjekje për të ndihmuar zbardhjen e krimeve dhe ballafaqimin me të kaluarën.
Në një postim në ‘Facebook’ bëhet e ditur se memorandumin e bashkëpunimit e nënshkruan rektori Arben Hajrullahu, në emër të Universitetit të Prishtinës, dhe Atdhe Hetemi, drejtori ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
“Memorandumi parashikon zhvillimin e projekteve kërkimore, organizimin e konferencave dhe seminareve, si dhe burime dhe ekspertizë të dyanshme për aktivitete të përbashkëta. Në memorandum janë paraparë organizime të shumta që lidhen me edukimin për historinë dhe dëmet e luftës, por edhe synohet partneritet edhe me organizata tjera rajonale e ndërkombëtare”.
Tutje, rektori Arben Hajrullahu tha se gjatë bashkëpunimit, të përfshirët nga të dy institucionet do të mësojnë shumë nga njëri-tjetri, ndërsa drejtori ekzekutiv Atdhe Hetemi tregoi se që kur e ka marrë detyrën ka menduar që instituti së pari duhet të përfitojë nga ekspertiza vendase.
Ndryshe, Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë deri tash ka mbledhur 8500 orë incizime dhe 6700 fotografi që dokumentojnë krimet e kryera në vitet e luftës.