Memli Krasniqi: Istogu bëhet më mirë vetëm me PDK-në dhe Ali Nimanajn, votoni për numrin 191

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka qëndruar në Istog, ku shprehu mbështetjen për kandidatin e PDK-së për kryetar të komunës, Ali Nimanaj. Ai tha se Nimanaj është shembull i një udhëheqësi që u ka shërbyer qytetarëve me përkushtim, veçanërisht gjatë katër viteve të fundit në rolin e nënkryetarit të komunës, raporton Kosova.info.

Krasniqi theksoi se kandidati i PDK-së nuk ka qëndruar kurrë pasiv përballë problemeve, por gjithmonë është angazhuar për t’i zgjidhur ato.

“Nëse ka pasur një zyrtar komunal që gjithmonë ka qenë i gatshëm për qytetarët e Istogut, dera e të cilit ka qenë gjithmonë e hapur, e dini të gjithë që ky ka qenë Ali Nimanaj. Istogu ka nevojë për ta filluar shkrimin e një kapitulli të ri. Ky kapitull i ri për një Istog më mirë bëhet vetëm me PDK-në, me Ali Nimanajn dhe me numrin 191”, u shpreh Krasniqi.

Nga ana e tij, kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Istogut, Ali Nimanaj, u ka bërë thirrje qytetarëve të mobilizohen më 12 tetor.

“Ftojmë të gjithë qytetarët e Komunës së Istogut që të bashkohen me ne, të rrugëtojnë me ne dhe me 12 tetor të na e japin mundësinë që të vazhdojmë tutje dhe pas balotazhit ne ta drejtojmë Komunën e Istogut”, tha Nimanaj./Kosova.info/


Go to TOP