Mediet ndërkombëtare shkruajnë për sulmin ndaj infrastrukturës në Kosovë

Mediet ndërkombëtare i kanë kushtuar vëmendje sulmit të mbrëmshëm ndaj infrastrukturës në veri të  Kosovës.

Agjencia e Lajmeve Reuters, shkruan se një shpërthim të premten në mbrëmje dëmtoi një kanal në veri të Kosovës që furnizonte me ujë dy termocentrale me qymyr që prodhojnë pothuajse të gjithë energjinë elektrike të vendit, tha kryeministri Albin Kurti, duke fajësuar atë që ai e quajti “një akt terrorist” nga Serbia fqinje.

Nuk pati raportime të menjëhershme për të lënduar dhe shkaku i shpërthimit, i cili gjithashtu ndikoi në furnizimin me ujë të pijshëm, nuk ishte i qartë.

 Zyrtarët serbë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment për Reuters.

Edhe Agjencia e Lajmeve Associated Press (AP), shkruan se “shpërthimi i fuqishëm dëmtoi një kanal uji dhe ndërpreu përkohësisht furnizimin me ujë dhe energji elektrike në qytetet e Kosovës, tha kryeministri të shtunën, duke fajësuar grupet e mbështetura nga Serbia.

Associated Press shkruan se Radoiçiq, një politikan dhe biznesmen i pasur me lidhje me partinë populiste në pushtet të Serbisë dhe Vuçiq, ishte në mesin e 45 personave të akuzuar në Kosovë në lidhje me një përleshje me armë vitin e kaluar, në të cilën një polic kosovar u vra pas një inkursioni nga serb të armatosur rëndë.

Edhe Agencia France Presse (AFP), shkruan për sulmin në veri.

“Kosova rriti masat e sigurisë rreth infrastrukturës “kritike” të shtunën pas një shpërthimi në një kanal kyç që ushqen dy nga termocentralet e saj kryesore, pasi Serbia fqinje hodhi poshtë akuzat se kishte organizuar shpërthimin. Shpërthimi ndodhi të premten pranë qytetit të Zubin Potokut në një zonë të dominuar nga serbët në veriun e trazuar të Kosovës, duke dëmtuar kanalin që furnizon me ujë sistemet e ftohjes në dy termocentrale me qymyr që prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike të Kosovës”, shkruan mediumi francez.

Go to TOP