Rama: BE duhet të heqë menjëherë sanksionet ndaj Kosovës, të riangazhohet në një format të ri dialogu
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke dënuar sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, ka kërkuar nga Bashkimi Europian që t’ia heqë masat Kosovës dhe tha se Unioni duhet të riangazhohet në një format të ri dialogu.
Rama tha se formati ekzistues i dialogut ka dështuar dhe shtoi se “fati europian” i rajonit nuk mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia dhe pesëshja e BE-së.
“Ndërkohë Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë. Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës, ku fati europian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mosdëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së”, ka shkruar sot Rama në X.
Ndërkaq, për sulmin e mbrëmshëm, Rama e cilësoi si “akti i sabotazhit” mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit
“Është një krim i rëndë, i cili cenon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë”.
Sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit e kanë dënuar edhe misionit e huaja diplomatike në Kosovë dhe kërkuan që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.