ME: Pagesat për përfituesit e pakos për pajisje efiçiente do të ekzekutohen deri në fund të korrikut 2025

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar qytetarët përfitues të pakos për subvencionimin e pajisjeve efiçiente se, bazuar në njoftimin e pranuar nga Bashkimi Evropian, pritet që procedurat për disbursimin e fondeve të përfundojnë deri në muajin korrik 2025. Pas kësaj, Ministria do të ekzekutojë pagesat për të gjithë qytetarët përfitues.

Kjo pako është dizajnuar për të mbështetur drejtpërdrejt qytetarët, përfshirë familjet me të ardhura të ulëta dhe kategori të tjera të cenueshme, përmes subvencionimit të pajisjeve me efikasitet të lartë energjetik dhe sistemeve të energjisë së ripërtëritshme në sektorin e amvisërisë. Pakoja është pjesë e Planit të Veprimit për zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të krizës energjetike, i mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Deri më tani, në bazë të një procesi të rregullt të vlerësimit dhe miratimit nga komisionet përkatëse, janë përzgjedhur 11,188 përfitues, me një vlerë të përgjithshme prej 4,987,061 euro. Këta përfitues kanë përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara dhe janë njoftuar përmes Komisioneve Vlerësuese.

Aktualisht, kanë mbetur edhe 1,459 përfitues individualë dhe 10 biznese, të cilët pritet të përfitojnë nga këto fonde deri në fund të muajit korrik 2025.

Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se ka përmbyllur me kohë të gjitha procedurat administrative dhe teknike në përputhje me Vendimin Nr. 20/145 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cili përcakton funksionimin e Komitetit Drejtues dhe Koordinues për zbatimin e këtij plani. Po ashtu, më 28 shkurt 2025, është dorëzuar edhe raporti përfundimtar i implementimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në fund, Ministria ka shprehur keqardhje për vonesat në disbursimin e mjeteve për një pjesë të përfituesve, duke sqaruar se kjo ka ardhur si pasojë e procedurave të pavarura dhe kohës së nevojshme për përmbylljen e procesit nga ana e Bashkimit Evropian. /Kosova.info/


Go to TOP