Masakra e Tivarit pjesë e projektit komunist për zhbërjen e shqiptarëve

Një konferencë me përmasa ndërballkanike, që mblodhi në Tivar përfaqësues të shkencës së historisë dhe të jetës politike, edhe pas më shumë se 80 vitesh, synon zbardhjen e të vërtetës së masakrës së Tivarit, ku në mënyra çnjerëzore u vranë mbi 4.300 shqiptarë, pa anashkaluar edhe boshnjakët që u përcollën nga Kosova.

“Krimi i cili ka ndodhur në Tivar në vitin 1945, sipas burimeve historike dhe dëshmive, u krye mbi të rinj të pafajshëm nga etnikumi shqiptar, përfshirë edhe boshnjakë të sjellë nga Kosova, me motiv për t`i shuar pa gjyq dhe pa mbrojtje, plagë kjo e cila me dekada është ngarkuar me heshtje, me të panjohura dhe fakte të dhimbshme. Andaj, ky takim ka kuptim të jashtëzakonshëm, vlera e tij nuk është vetëm akademike por morale, njerëzore dhe civilizuese”, ka thënë Mirsad Nurkoviq, nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi.

Masakra e Tivarit ngërthen në vete një pasqyrim të tmerrshëm të platformave politike dhe ushtarake të projektit të sistemi komunist, për spastrimin e trojeve shqiptare dhe zhbërjen si synim.

 “Masakra e Tivarit përbën një nga ngjarjet më të mëdha të popullit shqiptar të Kosovës kjo mbase për arsye se mënyra e organizimit, qëllimi i saj nuk ishin sporadike nuk ishin spontane ato ishin të mirë organizuara e mirë koordinuara”, ka thënë Haxhi Ademi, studiues.

“Botimin tim masakra Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar e kam trajtuar me dokumentet Jugosllave sidomos nga arkivi i luftës nacional çlirimtare të Beogradit të Jugosllavisë me arkiva të Shqipërisë, të Kosovës të Britanisë se Madhe, të Amerikës”, ka thënë Uran Butka, studiues.

Porosinë e bartën te brezat e rinj për të mos harruar, nga gjeneratat në gjeneratë, ata të cilët i kishin mbijetuar masakrës.

“Të gjithë ata që i kanë marrë në Gadime, mbi 80 kanë qenë të regjistruar, i kanë dërguar në eshalonin e parë dhe eshalonin e dytë në drejtim të Tivarit, në emër që po i dërgojnë në frontin e Adriatikut”, ka thënë familjari Sefedin Tasholli.

Konkluzionet e konferencës mëtojnë një reflektim institucional për ngritjen e një pllake përkujtimore në vendin e vrasjes së shqiptarëve tek objekti i monopolit të duhanit në Tivar, hulumtimin e varrezave masive e individuale, si dhe zhvarrosjen dhe rivarrosjen e viktimave në vendin e origjinës.


Go to TOP