Marrëdhënie seksuale në zyrë, Apeli i Posaçëm ashpërson dënimin për Gjicin

Në Shqipëri Gjykata e Posaçme e Apelit ashpërsoi dënimin për ish kryebashkiakun socialist të Kukësit Safet Gjici, duke ndryshuar dhe akuzën për të cilën ishte dënuar me 3 vjet heqje liri në shkallën e parë, nga “Shpërdorim detyre”, në “Korrupsion pasiv”. Apeli pranoi kërkesën e Prokurorisë duke i dhënë atij një dënim me 4 vjet e gjysmë burgim, që për shkak të gjykimit të shkurtuar, ulet me një të tretën.

Zoti Gjici u arrestua qershorin e vitit të kaluar, një javë pasi në rrjetet sociale u publikua një video në të cilën ai shfaqej në zyrën e tij, duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua, Alma Kaçin. Për këtë të fundit, Apeli po ashtu ndryshoi akuzën, nga ajo e “Prostitucionit” e vendosur nga Gjykata e Shkallës së parë, në atë të “Korrupsionit pasiv”, duke e ulur dënimin nga 2 në 1 vit e gjysëm burgim, që përllogaritur me zbritjen e një të tretës, redultohet përfundimisht në 1 vit heqje lirie.

Sipas Prokurorisë, zonja Kaçi, është personi që i ka ofruar përfitime në formën e favorit seksual kryebashkiakut, i cili më pas i ka premtuar dhe ka pranuar ta ndihmojë, me projektin e saj të mbrojtjes së qenve dhe ta paraqiste më tej në mbledhje të Këshillit Bashkiak të Kukësit. Por zoti Gjici, gjatë gjithë kohës ka pretenduar pafajësinë, ndërsa ka akuzuar prokurorinë se kishte shmangur hetimet rreth lidhjeve, sipas tyre, të zonjës Kaçi me ish kreun e Këshillit të qarkut Kukës, kundërshtarin e tij politik Abedin Oruçi. Ky i fundit, është konsideruar nga zoti Gjici, si porositësi i materialit video. Nga ana tjetër, zoti Gjici dhe avokatët e tij kanë këmbëngulur se projekti për qentë, për të cilin kishte diskutuar me zonjën Kaçi, nuk ishte shtruar për diskutim në Këshillin bashkiak të Kukësit dhe se Bashkia që ai drejtonte nuk ka pasur asnjë fond për një projekt të tillë, duke nënvizuar se dënimin më të madh, atë moral ai e kishte marrë tashmë.

Publikimi i videos, në qershor të vitit të kaluar, mori një vëmendje të lartë. Zoti Gjici, i sapo rizgjedhur, dha menjëherë dorëheqjen nga posti, duke deklaruar se “prej disa kohësh kam një marrëdhënie intime me vajzën në fjalë”, duke pretenduar nga ana tjetër, se kishte rënë pre e një kurthi të organizuar nga kundërshtarët e tij politik.

Go to TOP