Manifestimi në Aargau, platformë për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqipe

Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” për kantonin e Aargaut në Zvicër ka organizuar një manifestim në Kuttigen me rastin e përfundimit të vitit shkollor. 

Në këtë manifestim morën pjesë personalitete të larta shkencore nga trojet shqiptare, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, Maqedonisë si dhe zyrtar zviceran. Në emër të Këshillit Organizues foli Riza Demaj, kryetar i LAPSh-it për kantonin Aargau. 

Demaj foli për punën që po e bëjnë si LAPSh në mënyrë që mësimi plotësues të vazhdojë të funksionojë gjithnjë me të vetmin qëllim ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare. 

Zv. ministri i MAShTI-t, Taulant Kelmendi, tha se LAPSh është duke bërë një punë të mrekullueshme dhe na jep shpresë se fëmijët nuk do ta humbin lidhjen me vendlindjen. 

Me një fjalë përshëndetëse u paraqitë edhe drejtori i televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla, i cili i përgëzojë organizatorët, mësuesit, nxënësit, prindërit dhe të gjithë ata që po kontribuojnë në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë. Drejtori Gërvalla u ka premtuar mërgimtarëve se RTK çdo herë do të jetë në shërbim edhe të shikuesve në mërgatë. Ai më pas ka zhvilluar takime me mërgimtarë të shumtë. 

Ndërsa, akademik Frashër Demaj e vlerësoi lart punën që po bëjnë mësuesit dhe drejtuesit e LAPSh-it.

Gjithashtu, përfaqësuesi i Universitetit të Tetovës profesor Zekrjia Rexhepi bëri thirrje për rritjen e numrit të nxënësve. 

Në vazhdim nxënësit e shkollave shqipe të Kantonit të Aargaut, shfaqën një program të pasur kulturor me recitime, këngë e valle me motive patriotike. 

Go to TOP