Maliqi Abdixhikut: Jep dorëheqje dhe merr përgjegjësi

Lulzim Maliqi, përfaqësues i LDK-së nga Zvicra, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku duke e akuzuar për dëmtim të thellë të partisë dhe përjashtim të figurave historike të saj.

Në një reagim publik, Maliqi tha se gjatë viteve të fundit Abdixhiku ka shantazhuar dhe ka dëmtuar gjithçka që ka prekur brenda LDK-së duke përzënë bashkëpunëtorë të afërt dhe besnikë të presidentit historik, Ibrahim Rugova.

Sipas tij, këta njerëz kanë qëndruar besnikë ndaj LDK-së për 36 vjet me radhë, ndërsa janë zëvendësuar me individë që, siç shprehet Maliqi, nuk kanë pasur asnjë lidhje reale me partinë dhe që as vetë e as familjarët e tyre nuk e kanë votuar kurrë LDK-në, as në vitet ’90 dhe as pas luftës.

“Kjo është fundi. Mjaft me mashtrime e përralla për kuvende – jep dorëheqje dhe merr përgjegjësi”, ka shkruar Maliqi duke kërkuar largimin e Abdixhikut nga drejtimi i partisë.

Ky reagim vjen në një kohë tensionesh të shtuara brenda LDK-së, pas rezultateve zgjedhore dhe debateve të brendshme për përgjegjësinë politike dhe drejtimin e ardhshëm të partisë. /Kosova.info/


Go to TOP