LVV të dielën vendos për mandatarin për kryeministër, LS konteston konstituivin e Kuvendit në Kushtetuese

Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, pritet të mbajë të dielën mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku do të votohet kandidati për kryeministër. Këtë e ka bërë të ditur kryeministri në detyrë dhe lideri i kësaj partie, Albin Kurti.

“Kemi mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të dielën, kur do të vendosim”, tha Kurti, gjatë ditës së dytë të Konferencës Ndërkombëtare për Administratë Publike – KosovaPAR2025.

Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancën konstituive, të cilën e ka mbyllur kryetari Dimal Basha, megjithëse nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb. Ky fakt ka ngritur polemika politike, pasi partitë ish-opozitare pohojnë se Kuvendi nuk është plotësisht i konstituar.

Lista Serbe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kontestuar konstituivin e Kuvendit dhe duke kërkuar masë të përkohshme për ndaljen e rrjedhës së afatit ligjor për formimin e institucioneve të reja.

Në këtë situatë, LVV po insiston në vazhdimin e procedurave kushtetuese për formimin e qeverisë, ndërsa vendimi i Kushtetueses pritet të jetë përcaktues për hapat e ardhshëm. /Kosova.info/


Go to TOP