Papa Leoni pret presidentin izraelit: Të arrihet urgjentisht një armëpushim

Papa Leoni XIV priti sot në një takim zyrtar në Selinë e Shenjtë presidentin e Izraelit, Isaac Herzog.

Vizita vjen në një kohë kur situata në Lindjen e Mesme mbetet tejet e tensionuar, ndërsa në qendër të diskutimeve ishte konflikti në Gaza, çështja e pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe nevoja për një armëpushim të përhershëm.

Gjatë një audience private, Papa Leo XIV dhe Isak Herzog diskutojnë nevojën për një armëpushim urgjent dhe akses të papenguar të ndihmës për Gazën, si dhe lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura dhe një zgjidhje me dy shtete si e vetmja rrugë drejt paqes.

Sipas një deklarate të Vatikanit, Papa bëri thirrje gjithashtu për lirimin e pengjeve që ende mbahen nga grupi islamist palestinez Hamas, thuhet në deklaratën e Selisë së Shenjtë, dhe përsëriti mbështetjen e Vatikanit për një zgjidhje me dy shtete për konfliktin e gjatë izraelito-palestinez.

“U shpreh shpresa për një rifillim të menjëhershëm të negociatave… me qëllim që të sigurohet lirimi i të gjithë pengjeve, të arrihet urgjentisht një armëpushim i përhershëm, të lehtësohet hyrja e sigurt e ndihmës humanitare në zonat më të prekura dhe të sigurohet respektimi i plotë i ligjit humanitar”, thuhet në deklaratë.

Pas bisedës, Herzog publikoi një mesazh në rrjetin X, ku theksoi angazhimin e vendit të tij për të mbrojtur të krishterët në rajon.

“Izraeli është i përkushtuar për sigurinë dhe mirëqenien e komuniteteve të krishtera në Tokën e Shenjtë. Ne dëshirojmë me padurim një ditë kur popujt e Lindjes së Mesme, Fëmijët e Abrahamit, të jetojnë së bashku në paqe, bashkëpunim dhe shpresë. Të gjithë udhëheqësit e besimit dhe vullnetit të mirë duhet të bashkohen në thirrjen për lirimin e menjëhershëm të pengjeve si një hap i parë dhe themelor drejt një të ardhmeje më të mirë për rajonin,” shkroi Herzog.


Go to TOP