Lushi: Skandali me komedianët rusë, goditje për Kosovën – Kurti duhet të largohet nga politika

Veprimtari i çështjes kombëtare, Uk Lushi, ka reaguar ashpër pas skandalit ku Kryeministri Albin Kurti u mashtrua nga komedianët rusë, Vovan dhe Lexus. Ai e ka cilësuar këtë incident si një goditje serioze ndaj Kosovës dhe shqiptarëve duke e portretizuar Kurtin si naiv dhe të paaftë për t’u përballur me sfidat diplomatike dhe të sigurisë.

“Kurti ka rënë në provim, sidomos për fjalët e pamençura për Amerikën. Një kryeministër që flet kaq budallakisht për aleatët në një bisedë të tillë, imagjinoni si mund të sillet në takime diskrete dhe bilaterale të vërteta,” ka shkruar Lushi duke shprehur shqetësimin e tij për pasojat e mundshme të një qasjeje të tillë.

Ai e akuzon Kurtin për moskuptim të politikës së jashtme dhe amatorizëm të skajshëm, duke e quajtur këtë rast një turp për qeverinë dhe shtetin e Kosovës. Lushi gjithashtu kritikon rëndë kabinetin e Kurtit, duke e cilësuar të paaftë për të verifikuar një bisedë zyrtare.

“Kush janë idiotët në kabinetin e tij që nuk mund të verifikojnë një bisedë?! Mjerë Kosova në duart e çfarë amatorëve ka rënë! Zot, ndihmoje Kosovën!”, përfundon ai, duke i bërë thirrje Kurtit që të tërhiqet përfundimisht nga politika si “shërbimi i fundit që mund t’i bëjë Kosovës”. /Kosova.info/


Go to TOP