Lushi: Keqpërdorimi i Amerikës në fushatë presidenciale është i pandershëm
Aktivisti Uk Lushi ka reaguar ashpër ndaj asaj që e quan keqpërdorim të emrit dhe rolit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në funksion të fushatës për një mandat të dytë presidencial nga ana e Presidentes Vjosa Osmani.
Sipas Lushit, nuk është e ndershme që mbështetja apo raportet me Amerikën të përdoren si argument elektoral apo si mjet për të krijuar perceptimin se një kandidat i caktuar është “i preferuari” i Uashingtonit.
“Zgjidhe cilindo qytetar që kualifikohet për President/e të Kosovës dhe ai apo ajo do të bënte çka kërkon Amerika, pa shkelur interesat e Kosovës. Amerika punon me këdo që e vendos Kosova në krye të shtetit”, ka theksuar ai.
Lushi shton se presidenti apo presidentja e Kosovës duhet të reflektojë arealin dhe konsensusin politik të brendshëm, e jo ambicie personale. Ai paralajmëron partitë politike që të mos bien pre e, siç e quan ai, pretendimit se “Amerika e do një kandidat/e kukull”.
Në reagimin e tij, Lushi përmend edhe ish-presidentin Hashim Thaçi duke thënë se Kosova do të kishte bërë mirë ta zgjidhte atë President, por nëse politikanët nuk kanë pasur guximin apo vizionin për ta kuptuar atë veprim, atëherë, sipas tij, duhet të mbështesin një kandidat që propozohet nga opozita.
Ai përfundon duke theksuar se liderët duhet të jenë shërbëtorë të shtetit dhe jo ta përdorin shtetin si instrument për karrierë personale, veçanërisht duke luajtur me ndjeshmërinë e sinqertë proamerikane të shqiptarëve. /Kosova.info/
