Loni Dekor hap dy fabrika të reja në Vushtrri – AKB: Investim model për zhvillimin ekonomik dhe eksportin kosovar

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka përgëzuar kompaninë Loni Dekor për hapjen zyrtare të dy fabrikave moderne në qytetin e Vushtrrisë duke e cilësuar këtë investim si një model të suksesshëm për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e eksportit kosovar.

Dy fabrikat – njëra për prodhimin e mobilieve, dhe tjetra për dyer dhe produkte të tjera të drurit – janë rezultat i vizionit dhe punës së palodhshme të vëllezërve Faton dhe Fidan Hyseni, të cilët kanë synime të qarta për të depërtuar jo vetëm në tregun vendor, por edhe në atë të Bashkimit Evropian.

Në ceremoninë inauguruese, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, si dhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, u theksua rëndësia e mbështetjes për sektorin privat si një shtyllë thelbësore e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, i pranishëm në këtë ngjarje, u shpreh: “Kur qeveritë, lokale apo qendrore, nuk kanë mundësi t’i ndihmojnë bizneset, të paktën të mos i pengojnë ato.”

Shahini shtoi se AKB shpreh mirënjohje dhe përkrahje të plotë për ndërmarrës si vëllezërit Hyseni, të cilët jo vetëm po krijojnë vende të reja pune, por edhe po forcojnë kapacitetet prodhuese të Kosovës me standarde evropiane.

“Këto fabrika janë dëshmi se me vizion, përkushtim dhe partneritet të qëndrueshëm, Kosova mund të jetë konkurrente edhe në tregjet evropiane,” përfundoi Shahini. /Kosova.info/


Go to TOP