Lidhja e Bizneseve të Kosovës kërkon formimin urgjent të institucioneve: Koha nuk pret, as ekonomia
Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka shprehur shqetësimin e thellë për vonesat e zgjatura në formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të fundit duke theksuar se vendi po përjeton një krizë të zvarritur politike që ka ndikuar negativisht në ekonominë e vendit.
Sipas LBK-së, tashmë kanë kaluar mbi shtatë muaj pa institucione funksionale, ndërkohë që fokusi kryesor i skenës politike ka mbetur tek fushatat dhe pazaret për ndarjen e pushtetit duke lënë në harresë zhvillimin ekonomik, investimet dhe klimën e të bërit biznes.
“Vonesat në krijimin e institucioneve po i shkaktojnë dëme të mëdha ekonomisë së Kosovës – nga rënia e besimit të investitorëve dhe mungesa e stabilitetit institucional, deri te bllokimi i reformave dhe politikave mbështetëse për sektorin privat,” thuhet në reagimin e LBK-së.
Lidhja nënvizon se bizneset kanë nevojë për institucione stabile, për dialog të qëndrueshëm publik-privat dhe për një orientim të qartë ekonomik që nxit zhvillimin.
Në këtë frymë, LBK u bën thirrje të gjithë akterëve politikë që të lënë anash interesat partiake dhe të veprojnë me përgjegjësi shtetërore për të siguruar sa më shpejt formimin e institucioneve të reja, të cilat duhet menjëherë të angazhohen për ndërtimin e një ekonomie më të fortë, më të qëndrueshme dhe konkurruese.
“Koha nuk pret. As ekonomia,” përfundon reagimi i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës. /Kosova.info/
