Libri “Rugova – Prijësi intelektual” i Ndue Ukajt vlerëson trashëgiminë e presidentit historik
Fondacioni “Ibrahim Rugova” ka publikuar librin më të ri të Ndue Ukjat titulluar “Rugova – Prijësi intelektual”, i cili përmbledh analiza, ese dhe reflektime nga autorë të njohur shqiptarë dhe ndërkombëtarë, mbi trashëgiminë intelektuale, krijuese dhe politike të Presidentit Ibrahim Rugova.
Publicisti Ndue Ukaj, në një njoftim publik, shprehu mirënjohjen ndaj Kujtim Shalës dhe të gjithë autorëve që kontribuuan në këtë botim të veçantë. “Në këtë libër, kemi përfshirë tekste që më parë nuk kanë qenë pjesë e botimeve të Fondacionit, për të parë si lexohet dhe kuptohet Rugova nga këndvështrime të ndryshme dhe breza të ndryshëm,” tha Ukaj.
Libri përmban një poezi të autorit Visar Zhiti dhe një tekst kushtuar Rugovës, si dhe analiza të personaliteteve si Enver Hasani, Agron Tufa, Rrahman Paçarizi, Elsa Skënderi, Mero Baze, Enver Robelli dhe shumë të tjerë. Po ashtu, përfshihet një bibliografi e plotë e veprave të Ibrahim Rugovës dhe botimeve mbi të, përgatitur nga Munish Hyseni.
Ky botim i ri është një homazh i fuqishëm për figurën dhe kontributin e Presidentit Rugova duke pasuruar më tej literaturën dedikuar këtij personaliteti të shquar të historisë dhe kulturës shqiptare. /Kosova.info/
