LDK: Refuzimi i krijimit të Komisionit Hetimor për Energji, nga ana e VV-së ka të bëjë vetëm me fshehje së të vërtetës

Lidhja Demokratike e Kosovës është deklaruar sërish lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës.

LDK ka deklaruar se refuzimi i krijimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për Energji, nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka të bëjë me asgjë tjetër, përveç fshehjes së të vërtetës.

“Dhënia e 120 milion eurove në energjetikë nga buxheti i shtetit dhe prapë shtrenjtimi i faturave të energjisë prej 100% për qytetarët si dhe skandalet e fundit, shtrojnë nevojën emergjente për transparencë.”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se do të shfrytëzojnë të gjitha rrugët juridike e politike për zbardhjen e kësaj të vërtete.

“Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i shfrytëzoj të gjitha rrugët juridike e politike për zbardhjen e kësaj të vërtete.”.

Duhet përkujtuar që pas refuzimit të VV-së për krijimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, deputetët e LDK-së, PDK-së dhe AAK-së, kanë lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës.

Përpos kësaj, të njëjtët kanë refuzuar më pas që të jenë pjesë e zhvillimeve në kuadër të komisioneve parlamentare.

Kësisoj nga partitë opozitare kanë theksuar se derisa VV do të vazhdojë të refuzojë krijimin e Komisionit Hetimor, ata do të refuzojnë të jenë pjesë e votimeve në seanca parlamentar.

Go to TOP