LDK nis përgatitjet finale për zgjedhjet e 12 tetorit: Koha për zhvillim mbi propagandën
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, zhvilloi sot në Istog një punëtori përgatitore me kandidatët për kryetarë komunash, kryetarët e degëve, Kryesinë Qendrore, deputetët dhe ekipin qendror të partisë, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në këtë takim u diskutua organizimi, strategjia, mesazhi për qytetarët dhe programi konkret për secilin qytet duke analizuar gjendjen në çdo komunë dhe duke vendosur planin e veprimit për muajt e ardhshëm.
Abdixhiku theksoi se 12 tetori nuk është vetëm një datë zgjedhjesh, por një moment vendimtar për të përcaktuar drejtimin e komunave në katër vitet e ardhshme. Ai paralajmëroi se fushata e LDK-së do të fokusohet në nevojat e qytetarëve, përfshirë ndërtimin e infrastrukturës, investimet në arsim e shëndetësi, gjelbërimin e hapësirave publike, mbështetjen për bizneset dhe krijimin e vendeve të punës për të rinjtë.
“Fushata jonë nuk është për ne, është për ju. Është koha që bashkë të zgjedhim zhvillimin mbi propagandën, punën mbi fjalët boshe dhe shpresën mbi zhgënjimin,” u shpreh ai duke shtuar se LDK hyn në këtë garë e bashkuar, e përgatitur dhe me vizion të qartë për çdo qytet të Kosovës.
Abdixhiku nënvizoi se gjatë fushatës, LDK do të angazhohet në takime derë më derë dhe lagje më lagje për të dëgjuar qytetarët dhe për t’u prezantuar vizionin e saj për zhvillimin.
“12 tetori është dita jonë. Bashkë, le të fitojmë!” përfundoi kreu i LDK-së. /Kosova.info/
