LDK mirëpret vendimin e PZAP: Vetëvendosje tentoi të manipulojë procesin zgjedhor

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mirëpritur vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili ka konfirmuar se pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për manipulime në procesin zgjedhor ishin të pabazuara. Sipas LDK-së, ky vendim tregon qartë përpjekjet e LVV-së për të delegjitimuar zgjedhjet dhe për të mbrojtur manipulimet e votës së mërgatës, të dokumentuara me prova video.

Në një komunikatë për media, LDK dënon ashpër, siç e cilëson, “fushatën e shpifjeve dhe dezinformatave” të organizuar nga Vetëvendosje, me qëllim të komprometimit të procesit zgjedhor. Partia thekson se nuk do të tolerojë përpjekje për të përmbysur vullnetin e qytetarëve dhe do të ndjekë rrugë ligjore ndaj çdo individi apo subjekti që tenton të ndikojë në rezultatet zgjedhore përmes manipulimeve apo shpifjeve.

“LDK do të mbrojë integritetin e zgjedhjeve dhe vullnetin e secilit votues, brenda dhe jashtë Kosovës. Përpjekjet e Vetëvendosjes për të uzurpuar procesin zgjedhor do të sfidohen me vendosmëri. Demokracia nuk mund të jetë peng i një partie që nuk e pranon vullnetin e lirë të qytetarëve,” thuhet në reagimin e partisë.

Në fund, LDK shpreh mirënjohjen për mërgatën duke vlerësuar besimin dhe përkrahjen e saj në rritje. Partia rithekson angazhimin për të forcuar lidhjet me diasporën dhe për të përmbushur aspiratat e përbashkëta për një Kosovë të zhvilluar dhe të integruar në strukturat euro-atlantike. /Kosova.info/


Go to TOP