LDK akuzon Vetëvendosjen për improvizim institucional: Nuk bëhemi pjesë e skenarëve populistë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj qasjes së Vetëvendosjes lidhur me zhvillimet e fundit institucionale duke e cilësuar sjelljen e saj si të papërgjegjshme dhe të orientuar drejt lojërave politike. Në një komunikatë për medie, LDK thekson se Vetëvendosja po tenton sërish të përdorë institucionet e Republikës si instrument për interesa elektorale.

Sipas LDK-së, vendi prej tetë muajsh mbahet në pasiguri politike nga e njëjta parti që tani paraqet si urgjencë çështjet që vetë i ka zvarritur. Partia rikujton edhe “zvarritjen 15-ditore të mandatarit pa numra”, të cilën e konsideron një proces të humbur që nga fillimi dhe të përdorur vetëm për propagandë.

Në komunikatë thuhet se, nëse do të kishte ekzistuar vullnet për krijimin e shumicës parlamentare, konsultimet me të gjitha partitë do të ishin bërë me kohë. Sipas LDK-së, qëllimi i Vetëvendosjes nuk ka qenë krijimi i shumicës, por “materiali elektoral, mbajtja peng e vendit dhe prodhimi i skenave të radhës”.

LDK ka refuzuar pjesëmarrjen në seancën e Kuvendit të caktuar për orën 11:00 duke argumentuar se agjenda përfshin marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje buxhetore që kërkojnë proces serioz e konsultim. “LDK nuk merr pjesë në improvizime që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate”, thuhet në komunikatë.

Megjithatë, LDK ka konfirmuar se do të marrë pjesë në seancën e orës 14:00, sapo të pranojë ftesën dhe rendin e ditës për çështjen e mandatarit, në përputhje me vlerat dhe bindjet e saj politike.

Në fund të komunikatës, LDK rithekson përkushtimin e saj ndaj rendit, ligjshmërisë dhe stabilitetit të Republikës duke deklaruar se nuk do të bëhet pjesë e “skenarëve populistë dhe krizave të fabrikuara për interesa zgjedhore”. /Kosova.info/


Go to TOP