Abdixhiku: LDK nuk i bashkohet “shfaqjes së imponuar” parlamentare – nesër votojmë kundër dhe nisim përgatitjet për zgjedhje
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të mazhorancës në ikje duke i quajtur “popullistë të rrezikshëm, të investuar në lojëra, intriga e kalkulime politike”. Ai theksoi se vendi është zvarritur për më shumë se tetë muaj në procesin e krijimit të shumicës dhe të formimit të institucioneve, ndërsa 15 ditë të tjera – sipas tij – janë humbur me një “mandatar kukull”, që nuk ka bërë asnjë përpjekje minimale për qeverisje.
Abdixhiku kritikoi thirrjen e dy seancave parlamentare për ditën e nesërme, të cilat – siç u shpreh – po mbahen “në orën e fundit, afatin e fundit”, dhe pa asnjë konsultim, komunikim apo diskutim paraprak.
“LDK e refuzon dhe shpërfillë këtë qasje politike. Refuzimi i popullistëve është akti më i lartë patriotik sot,” deklaroi ai duke bërë të ditur se LDK nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 11:00, të cilën e cilësoi “seancë imponimi teatral”.
Sipas Abdixhikut, partia e tij do të paraqitet vetëm në seancën e orës 14:00, ku do të votojë “me bindje e krenari kundër një pakice që nuk mund të sillet më si shumicë në këtë shtet”.
Ai shtoi se nga nesër LDK nis përgatitjet për zgjedhjet e reja nacionale duke bërë thirrje për bashkim të të gjithë qytetarëve që janë të lodhur nga ky stil qeverisjeje.
“Le t’i fitojmë!” përfundoi Abdixhiku. /Kosova.info/
