LDK akuzon Vetëvendosjen për bllokimin e Kuvendit: Ngërç i paarsyeshëm që dëmton demokracinë
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës duke e cilësuar bllokimin aktual si pasojë të veprimeve të “paarsyeshme dhe jologjike” të Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas LDK-së, ky ngërç institucional po cenon funksionimin normal të Kuvendit, po pengon procesin e formimit të institucioneve dhe po dëmton besimin e qytetarëve në sistemin demokratik.
“Gjykata Kushtetuese ka ndërhyrë me masë të përkohshme për të adresuar situatën duke treguar qartë se kriza nuk është pasojë e dispozitave kushtetuese, por e keqpërdorimit politik të procedurave nga Vetëvendosje”, thuhet në reagimin e partisë.
LDK e ka konsideruar këtë bllokim si të pajustifikueshëm duke theksuar se ai është rezultat i mungesës së gatishmërisë së Vetëvendosjes për dialog dhe kompromis, si dhe i qasjes së saj “destruktive që vë interesin partiak mbi interesin shtetëror”.
Partia ka kujtuar se qëndrimet e saj në çdo etapë, që nga Komisioni i Verifikimit të Mandateve e deri më sot, kanë qenë të orientuara drejt respektimit të demokracisë, kushtetutshmërisë dhe logjikës shtetërore.
“LDK bën thirrje që të respektohen Kushtetuta, ligjet dhe fryma e demokracisë parlamentare. Kuvendi duhet të konstituohet dhe të funksionojë menjëherë, në mënyrë që vendi të ketë institucione të qëndrueshme dhe legjitime, në shërbim të qytetarëve dhe të së ardhmes euroatlantike të Kosovës”, përfundon reagimi.
LDK ka nënvizuar se mbetet e përkushtuar të veprojë me përgjegjësi institucionale dhe të angazhohet për garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve të vendit. /Kosova.info/
