Abdixhiku pas vendimin të Kushtetueses: Koha e shkatërruesve të shtetit duhet të mbarojë

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se e tërë Kosova ka mbetur e bllokuar për shkak të një pozite të parëndësishme partiake në Kuvendin e Kosovës.

Sipas Abdixhikut, Kosova ndodhet në këtë situatë për shkak të popullizmit të Albin Kurtit e Lëvizjes Vetëvendosje.

Lideri i LDK-së ka reaguar pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushteteuese lidhur me caktimin e masës së parakohshme në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij, këto masa e këto veprime ndodhin kur shkelësit e 48 herë të Kushtetutës kanë për synim vetëm votat e popullit.

“Masë tjetër, bllokadë tjetër. Padituria kushton. Ja ku na ka sjellë popullizmi. Një shtet i tërë i bllokuar, për një pozitë të parëndësishme partiake në Kuvendin e Kosovës. Edhe 30 ditë të tjera të humbura – minimalisht. Tridhjetë ditë të tjera pa institucione funksionale, pa ligje që bëhen, pa projekte që ecin. Si po humbka Serbia kështu? Ne të bllokuar për një nënkryetar të parëndësishëm, e ata humbës disi?! U thamë. Nuk dëgjuan. U treguam. Nuk panë. Kështu ndodhë kur shkatërruesit e shtetit, shkelësit e 48 herë Kushtetutës rresht, për synim nuk kanë atdheun, por kauzën elektorale për një votë a dy”, thuhet në postimin e Abdixhikut në Facebook.

Abdixhiku e ka vlerësuar si të vështirë përballjen me popullizmin e ushtruar nga Vetëvendosje, megjithatë ka shtuar se koha e tyre do të mbarojë.

“Në mungesë të ideve, në mungesë të projekteve, në përballje me afera korruptive që bërtasin gjithandej hajni, vreri i tradhëtarëve e patriotëve në moçalin e madh të pështymave bëhet krejt i lehtë. Gojën plot Serbi – është lehtë. Punë për Kosovën është vështirë për ata që veç karrigën kanë synim. LDK është e saktë sepse e kupton shtetin. Që nga shkurti e deri më sot, çdo pozicion i ynë politik kishte kuptim shtetar e kushtetues. Përballja me popullizmin nuk është e lehtë, por mbetet e paalternativë. Besimi ynë në Republikë e demokraci do të na udhëheqë. Koha e shkatërruesve të shtetit duhet të mbarojë. Koha e shkatërruesve të shtetit po mbaron”, thuhet në postimin e Abdixhikut.


Go to TOP