Lani: Skandal – punëtorët e marketeve në Kosovë paguajnë për mallrat e prishura

Gazetari Arsim Lani ka denoncuar një rast tronditës të abuzimit me punëtorët në një market në Kosovë. Ai ka bërë të ditur se punëtorët e atij marketi detyrohen të paguajnë nga rrogat e tyre për dëmet e shkaktuara nga kalbja e frutave dhe perimeve që nuk shiten në kohë.

“Dje u ndala për të blerë diçka në një market dhe një punëtore më tregoi se kur pemët dhe perimet prishen, pronari ua llogarit dëmin dhe ua zbrit nga paga punëtorëve!”, ka shkruar Lani duke ngritur shqetësimin për këtë praktikë abuzive.

Ai ka kërkuar ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse, duke ngritur pyetjen nëse në Kosovë ekziston një inspektorat apo mekanizëm mbikëqyrës që kontrollon këto raste dhe ndalon shkeljet e të drejtave të punëtorëve.

“A ka ndonjë institucion që i kontrollon këto markete dhe ndalon këtë dukuri abuzive?!”, përfundon Lani duke bërë thirrje për hetim dhe veprim urgjent. /Kosova.info/


Go to TOP